Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Aktakuza është ngritur edhe ndaj B., ushtrues i detyrës së sekretarit të kësaj ministrie. Ata akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran” dhe se kështu kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë mbi 1 milion euro.
“Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike….Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.