Prokurorët e Bosnje dhe Hercegovinës urdhëruan të mërkurën arrestimin e udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, që mbështetet nga Rusia, Milorad Dodik dhe ndihmësve të tij, për mosbindje të një urdhëri për paraqitje në gjykatë. Vendimi mund rrisë kërcënimin ndaj stabilitetit të këtij vendi ballkanik.
Urdhri vjen dy javë pasi Milorad Dodik u dënua me një vit burg për kundërshtimin e vendimeve të një të dërguari ndërkombëtar për paqen, tha një zëdhënës i agjencisë së sigurimit shtetëror, SIPA.
Prokurorët kanë kërkuar ndihmën e Agjencisë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes së Bosnjës (SIPA) për arrestimin e tij.
Megjithatë nuk është e qartë nëse parashikohet arrestimi i zotit Dodik apo thjesht zbatimi i urdhërit për t’u paraqitur në gjykatë.
Zyra e prokurorit të shtetit po hetonte Milorad Dodik, presidentin nacionalist pro-rus të Republikës Serbe të Bosnjës, për sulm ndaj rendit kushtetues, pasi ai nisi një proces të miratimit të ligjeve që pengonin gjyqësorin dhe policinë, të zbatonin vendimin për dënimin e tij.
“Kemi marrë një kërkesë nga policia gjyqësore e Bosnjës dhe Hercegovinës për t’i ndihmuar ata”, tha zëdhënësja e SIPA-s, Jelena Miovçiç.
Televizioni i Republikës Serbe, duke cituar qeverinë rajonale, raportoi se prokuroria shtetërore ka urdhëruar gjithashtu arrestimin e Kryeministrit të Republikës Serbe Radovan Viskoviç dhe Presidentit të parlamentit rajonal Nenad Stevandiç për injorimin e kërkesës së gjykatës për paraqitje të detyrua lidhur me çështjen e sulmit ndaj rendit kushtetues, raporton VOA
Republika Serbe është një nga dy entitetet e krijuara për t’i dhënë fund luftës së viteve 1992-95, gjatë së cilës u vranë mbi 100,000 persona në Bosnjën shumetnike.
Ata janë të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore në një shtet të mbikëqyrur nga një autoritet ndërkombëtar për të frenuar rikthimin e saj në konflikt.