Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka reaguar sërish lidhur me zhvillimet rreth Gjykatës Speciale, duke ndarë në Facebook pjesë nga një intervistë e profesorit britanik të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir.
Bosch ka mbështetur hapur qëndrimet kritike të profesorit, duke i cilësuar ato si “fjalë të mençura” dhe ka shprehur qartë kundërshtimin e tij ndaj kësaj gjykate.
Në postimin e tij, Bosch ka shpërndarë pjesë nga analiza e Hehir-it, ku theksohet se Gjykata Speciale është një projekt me motivim politik, i krijuar për t’i shërbyer interesave të Serbisë dhe për ta larguar atë nga ndikimi i Rusisë, duke e afruar me Perëndimin.
“Gjykata Speciale është një organ politik i pastër. U krijua me një qëllim të vetëm: për të kënaqur Serbinë. Fuqitë e mëdha perëndimore e detyruan qeverinë e Kosovës ta themelonte, pavarësisht mungesës së mbështetjes publike apo politike në vend,” thuhet në pjesën e ndarë nga Bosch.
Sipas profesorit Hehir dhe, indirekt, edhe vetë Bosch, kjo gjykatë nuk është e ndërtuar mbi parime të drejtësisë së barabartë, por është një mjet për të mbështetur një narrativë politike që dëmton luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe forcon propagandën serbe.
“Serbia dëshiron ta paraqesë konfliktin si një luftë ku ‘të dy palët’ kanë qenë fajtorë dhe ta etiketojë UÇK-në si organizatë terroriste që ka sulmuar civilët serbë,” thuhet më tej në intervistën e publikuar nga ish-diplomati holandez.
Robert Bosch, i njohur për qasjen e tij kritike ndaj mënyrës se si bashkësia ndërkombëtare ka trajtuar çështjen e Kosovës, dërgon një mesazh të qartë duke e konsideruar Gjykatën Speciale si një instrument politik që minon drejtësinë dhe cenon historinë e luftës çlirimtare.
Profesori Hehir gjithashtu paralajmëron për pasojat e rënda që mund të vijnë nëse udhëheqësit e UÇK-së shpallen fajtorë nga kjo gjykatë:
“Kosovarët me të drejtë ndihen se aleatët perëndimorë u janë kthyer kundër. Nëse Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi shpallen fajtorë, kjo mund të çojë në trazira sociale në Kosovë dhe do t’i japë hov nacionalizmit serb,” tha Hehir.