Lëvizja Studentore “Studim Kritikë Veprim” ka vendosur ta shkëpusë bashkëpunimin me organizatën studentore “Reforma” në Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”. Sipas njoftimit të SKV-së në Facebook, “zhvillimet e fundit në Universitetin e Prishtinës, mungesa e plotë e koordinimit për aktivitetet e organizuara, kanë bërë që deputetët tanë të vendosin për t’i dhënë fund koalicionit i cili ka udhëhequr pak më shumë se një vit Parlamentin Studentor”.
“Dallimet tona janë bërë të qarta dhe të pakapërcyeshme, prandaj edhe vazhdimi i bashkëpunimit është bërë i pamundur. Konsiderojmë se prioritet i organizatave studentore duhet të jenë studentët, çështjet të cilat i prekin drejtpërdrejt ata dhe assesi mbështetja apo lobimi për avancimin e individëve të caktuar me të kaluar të dyshimtë. Qysh në tetor të vitit të kaluar është arritur një dakordim verbal mes deputetëve të dy organizatave që me shumicë votash të aprovojnë organizimin e aktiviteteve të Parlamentit Studentor. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur”, ka thënë SKV-ja.
Kjo organizatë në fund ka përmendur edhe ndarjen e disa mjeteve të cilat i ka konsideruar “me shifra të konsiderueshme dhe të paarsyeshme”.
“Jo që s’janë mbajtur mbledhjet, por së fundmi vetë Kryetari i Parlamentit Studentor dhe deputetët nga radhët e SKV-së janë njoftuar për disa kërkesa vetëm nga Zyra për Buxhet dhe Financa. Në fund të muajit shtator, brenda një periudhe të shkurtër kohore, janë dorëzuar dy kërkesa me shifra të konsiderueshme, të paarsyeshme, të cilat edhe janë aprovuar më pas”, thuhet në reagim.
Megjithatë, të gjitha këto i ka mohuar Bleron Beka nga “Reforma”. Beka ka thënë për KOHËN, “se arsye e shkëputjes së koalicionit është se më 1 tetor, SKV-së i përfundoi mandati në udhëheqje, dhe ka pasur t’i kalonte ‘Reformës’”.
Beka ka deklaruar se ka qenë e paraparë që ai të jetë kryetar i ri nga 1 tetori. Ai ka thënë se “SKV-së nuk i janë penguar aktivitetet”, ndërsa për projektet për të cilat ka akuzuar ish-partnerja e koalicionit, Beka ka deklaruar se “s’ka të bëjë me shifra marramendëse”.
Siç ka thënë ai, bëhet fjalë për një projekt në shumë prej rreth 4300 eurosh për “Javën e Artit”.
Parlamenti Studentor i UP-së ka 17 anëtarë. SKV-ja është organizata më e madhe e përfaqësuar me pesë deputetë. Reforma është e dyta me katër. Në zgjedhjet e vitit të shkuar më së shumti deputetë zuri koalicioni i organizatave UDS-USPE-OPS, me shtatë deputetë bashkë.
Parlamenti Studentor tash mbetet pa udhëheqësi, derisa ndonjë organizatë nuk lidh koalicion për ta siguruar shumicën prej 9 ulësesh.