Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit që ajo dhe kryeministri Albin Kurti kanë zhvilluar sot me president francez, Emmanuel Macron.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka njoftuar se me presidentin francez kanë diskuuar për dialogun me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në vend.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Kryeministrin Kurti, u pritëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve tona, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë. Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme”, shkruan ajo.
Tutje Osmani ka shtuar se presidenti Macron ka pohuar përkrahjen e tij për paqe dhe siguri në Kosovë.
“Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon”, shtoi ajo.
Krejt në fund e para e shtetit ka thënë se në këtë takim kanë kërkuar mbështetjen e Francës për integrim euroatlantik dhe organizata tjera ndërkombëtare.
“Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare”, përfundon postimi i saj.