Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Presidenti i Izraelit: marrëdhëniet me Arabinë Saudite kyçi për dhënien fund luftës në Gazë

    18/01/2024 20:53
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Normalizimi i marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite është elementi kyç për t’i dhënë fund luftës me Hamasin dhe që do të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve në Lindjen e Mesme, tha presidenti izraelit Isaac Herzog të enjten, në takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në qytetin zvicerian Davos.

    “Është ende delikate dhe mund të dojë kohë, por mendoj se është realisht një mundësi për të ecur përpara në botë dhe në rajon drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha zoti Herzog.

    Deklarata vjen pak ditë pasi ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, princi Faisal bin Farhan, tha në një takim në Davos se mbretëria saudite bie dakort që “paqja rajonale përfshin paqen për Izraelin”. Ai tha se Arabia Saudite “me siguri” do ta njihte Izraelin në kuadrin e një marrëveshjeje më të gjerë politike.

    “Por kjo mund të ndodhë vetëm nëpërmjet paqes për palestinezët, nëpërmjet një shteti palestinez”, tha ai.

    Edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përsëriti gjatë një takimi në Davos se zgjidhja për një shtet palestinez mund të ndihmonte për të përmirësuar sigurinë e Izraelit dhe marrëdhëniet e tij me vendet e tjera në rajon.

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe qeveria e tij e djathtë janë megjithatë kundër konceptit të një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve.

    Presidenti izraelit Herzog, posti ceremonial i të cilit i shërben unitetit të kombit, tha se mbështetja për këtë ide nga publiku është e ulët, pasi izraelitët e traumatizuar janë të përqendruar tek siguria e tyre pas sulmit vdekjeprurës të Hamasit më 7 tetor. Ai tregoi fotografinë e Kfar Bibas, izraelitit më të vogël që mbahet peng në Gazë, i cili mbushi një vjeç të enjten.

    “Kur vendet dalin me propozimin për një zgjidhje ‘me dy shtete’, ato duhet të përballen fillimisht me një pikëpyetje paraprake, që është një pikëpyetje themelore për qeniet njerëzore: A po na ofrohet siguri e vërtetë?”, tha zoti Herzog. “Izraelitët e humbën besimin tek procesi i paqes, sepse panë që terrori lartësohet nga fqinjët e tyre”.

    Zoti Herzog theksoi edhe pasojat globale të sulmit në Izrael të Hamasit, që ai tha se është vetëm një ndër veglat e “perandorisë së të keqes që vjen nga Teherani”.

    Ndërsa vazhdon konflikti në Gazë, Irani ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj atij që e quan operacion të zbulimit izraelit në Irak, si dhe bëri sulme në Pakistan dhe Siri. Rebelët e mbështetur nga Irani në Jemen, të njohur si huthitë, kanë ndërprerë gjithashtu transportin global detar me sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq, që morën në përgjigje sulme nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.

    “Çështja e huthive është e përparësisë numër një, pasi rrit kostot e jetesës për çdo familje në univers, një grup i vogël prej 50 mijë personash, e furnizuar me armë nga një perandori”, tha zoti Herzog.

    Të mërkurën në Davos, ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian këmbënguli se sulmi iranian në Irak, si dhe ndaj një baze militantësh në Pakistan, janë në kuadrin e së drejtës së vendit të tij për t’u vetëmbrojtur. Ai gjithashtu akuzoi Izraelin për “gjenocid” në fushatën ndaj Hamasit, që ka vrarë mijëra civilë palestinezë.

    Kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani gjithashtu dënoi luftën në Gazë gjatë takimeve në Davos të enjten, duke thënë se “komuniteti ndërkombëtar ka dështuar”.

    Por zoti Sudani u përpoq të balancojë qëndrimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke thënë se Iraku ka “interesa” dhe “partneritet strategjik” me të dyja vendet. Ai gjithashtu përsëriti thirrjet për tërheqjen nga Iraku të forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se prania e tyre nuk është më e justifikuar, pasi grupi Shteti Islamik “nuk është më një rrezik për popullin irakian”.

    Udhëheqësit irakianë dhe izraelitë tërhoqën vëmendjen kryesore të enjten ndër aktivitetet e shumta në Davos, ku janë mbledhur udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave dhe përfaqësues të tjerë të elitave.

    Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se një zgjidhje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve “mund të duket e largët tani, por mund të jetë më e afërt nga ç’mendojmë”.

    “Shumë njerëz që e përkrahën këtë ide janë tashmë më të shqetësuar për periudhën afatgjatë, se pa këtë zhvillim do të kemi një përshkallëzim të vazhdueshëm të dhunës”, tha ai.

    Aktivitetet katërditore në forumin e Davosit, që është kritikuar si një forum ku flitet për ide të mëdha por pa dhënë zgjidhje, kanë trajtuar një gamë të gjerë tematikash, si ndryshimi klimatik dhe inteligjenca artificiale, një teknologji kjo që mund të ofrojë shanse zhvillimi për ekonominë, por edhe rreziqe.

    Sam Altman, drejtor ekzekutiv i kompanisë OpenAI që prodhoi programin e inteligjencës artificiale ChatGPT, mori pjesë në aktivitetet në Davos, pas problemeve në drejtimin e kompanisë vitin e kaluar. Gjatë një takimi për teknologjinë, ai u përball me pyetje për këtë dhe për një padi të ngritur nga gazeta The New York Times, që kërkon t’ia ndalojë kompanisë OpenAI përdorimin e artikujve të kësaj gazete për të përmirësuar programet e dialogimit robotik nëpërmjet inteligjencës artificiale.

    Gjatë një mëngjesi pune të organizuar në kuadrin e forumit të enjten, diskutimi u përqëndrua tek lufta e Ukrainës ndaj Rusisë. Presidenti polak Andrzej Duda bëri thirrje që fondet ruse të ngrira në bankat perëndimore të përdoren për Ukrainën.

    Ai tha se 60 miliardë dollarët e caktuar për rindërtimin e Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara dhe 54 miliardë të caktuara nga Bashkimi Evropian janë “jetike”.

    Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron i bëri thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të përmbushin dërgimin e ndihmave, të cilat kanë ngecur, si dhe aleatëve që të rikujtohen se të marra së bashku ekonomitë e tyre janë 25 herë më të mëdha se ekonomia e Rusisë.

    “Na duhet vetëm ta demonstrojmë fuqinë tonë ekonomike, të lëvrojmë fondet, dhe do të jemi në gjendje ta ndihmojmë Ukrainën që t’i japë fund kësaj”, tha zoti Cameron, i cili pati edhe një takim me ministrin e Jashtëm të Iranit në Davos.

    Të enjten udhëtoi drejt Davosit edhe bashkëshorti i nënpresidentes amerikane Kamala Harris, Doug Emhoff, për të marrë pjesë në diskutimet për antisemitizmin, islamofobinë dhe formave të tjera të urrejtjes. /VOA

    Artikuj të ngjashëm

    Ministri i Mbrojtjes: Ushtria izraelite merr trupin e një pengu tajlandez nga Gaza

    Hamasi i përgjigjet propozimit të SHBA-së duke kërkuar armëpushim të përhershëm në Gaza

    Gaza: Vdesin 4 persona në një përpjekje për të gjetur ushqim, shembet muri i depos

    Të Fundit

    Abdixhiku: Do të shkoj në takim me Osmanin sapo të ftohem, presidentja duhet të ketë qëndrim për situatën

    Memli Krasniqi konfirmon pjesëmarrjen në takimin e nesërm me Vjosa Osmanin

    Polici Argjend Kastrati dënohet me 4 vite burg për aksidentin që i mori jetën Zana Gjevukajt

    Pas seancës, deputetët e PDK-së po qëndrojnë në sallën e Kuvendit

    “Kemi ndryshuar qëndrim”, Çka ndodhi në foltore kur doli Time Kadrijaj? Dehari: “Ndalja mikrofonin” – “E kemi një emër për propozim”

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.