Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka raportuar se Kosova është ndër vendet që kanë pranuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar persona të dëbuar, përfshirë edhe individë me të kaluar kriminale.
Sipas NYT, një telegram urgjent nga Uashingtoni u dërgua në misionet diplomatike amerikane këtë pranverë, ku u kërkua që disa vende, përfshirë Kosovën, t’i hapnin dyert për persona që nuk janë shtetas të tyre.
“Dhe në mars, diplomatët amerikanë filluan të ushtronin presion mbi zyrtarët në Kosovë. Ata zhvilluan gjashtë takime gjatë tre muajve, pastaj caktuan një afat deri më 8 maj për një përgjigje”, citon gazeta një kabllogram diplomatik.
Ndërkohë, më 12 maj, qeveria e Kosovës në detyrë njoftoi zyrtarisht se do të pranonte deri në 50 persona. Megjithatë, sipas NYT, zyrtarët kosovarë kanë theksuar se vendimi nuk ishte i lehtë për shkak të sfidave të brendshme dhe ndikimeve politike të mundshme.
“Zyrtarët kosovarë thanë më 12 maj se do të merrnin deri në 50 persona, por u thanë amerikanëve se ‘nuk e kishin marrë lehtë’ vendimin, duke pasur parasysh vështirësitë qeveritare dhe ‘pasojat e mundshme politike’, tha një kabllogram amerikan. Zyrtarët thanë se preferonin gratë dhe fëmijët.”
Në këmbim të pranimit, Kosova ka kërkuar që SHBA-ja të vazhdojë lobimin për njohjen ndërkombëtare të saj.
“Dhe ata sugjeruan që Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, kishte nevojë për diçka në këmbim. Zyrtarët thanë se donin që Shtetet e Bashkuara të vazhdonin të lobonin te kombet e tjera për ta njohur Kosovën si shtet sovran,” shkruan “New York Times”.