Milica Gjurgjeviq, ministrja serbe për Familje dhe Demografi dhe anëtare e partisë “Zavetnici”, ka bërë thirrje që serbët në Gjermani të mbështesin partinë e djathtë ekstreme “AfD”.
Ajo përdori këtë mundësi për të shpërndarë propagandë në lidhje me situatën e serbëve në Kosovë.
Në fjalimin e saj gjatë një konvente të “AfD”-së, Gjurgjeviq e quajti popullin serb në Kosovë si grupin etnik më të rrezikuar në Evropë, duke pretenduar se autoritetet kosovare po kryejnë veprime të dhunshme ndaj serbëve që kanë mbetur në vendlindjet e tyre.
“Populli ynë në Kosovë është sot grupi etnik më i rrezikuar në të gjithë Europën. Autoritetet e vetëshpallura të Kosovës po kryejnë terror të tmerrshëm kundër serbëve që kanë mbetur në vendlindjet e tyre, duke uzurpuar pronat tona, duke përdhosur vendet tona të shenjta dhe monumentet kulturore,” tha ajo, siç raportoi Euronews Serbia.