Deputeti i Parlamentit Federal të Austrisë dhe njëherësh President i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, z. Andreas Minich, përmes Avokatit Arsim Vranovci, President i Shoqatës së Miqësisë Kosovë–Austri, ka shprehur ngushëllimet më të thella për popullin e Kosovës, e në veçanti për familjen e vajzës me origjinë nga Kosova, e cila u vra tragjikisht në qytetin e Grazit.
Minich theksoi dhimbjen e madhe për këtë ngjarje të rëndë dhe shprehu solidaritetin e tij të plotë me familjen e së ndjerës, duke theksuar rëndësinë e drejtësisë dhe mbështetjes në këto momente të vështira. “Ky është një moment i dhimbshëm për të gjithë ne.
Familjes së viktimës dhe mbarë komunitetit shqiptar në Austri i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta. Dhimbja e tyre është edhe dhimbja jonë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Ngjarja ka prekur thellësisht popullin austriak, përfshirë komunitetin shqiptar në Austri dhe më gjerë, ndërsa autoritetet janë duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit tragjik.