Një 22-vjeçar nga Burreli është kapur në flagrancë në tunelin e Murrizit, ndërsa po vinte drejt Tiranës, me dy armë kallashnikov në veturë.
Sipas njoftimit të Policisë, dyshohet se armët ishin të destinuara për t’u shitur grupeve kriminale në kryeqytet.
Oficerët e Komisariatit Nr. 4, pasi morën informacion për shtetasin që po qarkullonte me armë në automjet nga Burreli drejt Tiranës, organizuan operacionin e koduar “Tuneli”, duke i zënë pritë dhe arrestuar të riun në tunelin e Murrizit.
“Gjatë operacionit, në tunelin e Murrizit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin që drejtonte 22-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën të fshehura në bagazh, 2 armë zjarri kallashnikov dhe 4 krehra për to.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas po i transportonte armët në Tiranë, për t’i shitur për llogari të grupeve kriminale. Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.”, thuhet mes të tjerash.