Policia me plan operativ për zgjedhjet e 12 tetorit

Policia e Kosovës ka zhvilluar një takim lidhur me angazhimin e saj në implementimin e planit për “Zgjedhjet lokale 2025” dhe për “Analizën e punës periodike”.
Në njoftim thuhet se drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, gjatë takimit diskutoi për situatën e përgjithshme të sigurisë, për analizën e punës periodike, për performancën dhe disiplinën në punë, e në veçanti për planin për zgjedhjet lokale, ku potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.
“Njëkohësisht nga të gjithë eprorët e lartë policorë u kërkua që të rritet performanca në punë si dhe të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, po ashtu të njoftohen të gjithë zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor, me qëllim të përmbushjes së detyrave, misionit dhe vizionit të PK-së”, thuhet në njoftim.