Një person është arrestuar nga Policia në Gjakovë pas dyshimeve se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë hetimeve është zbuluar se ai posedonte armë pa leje në banesën e tij në fshatin Osek Pashë, Komuna e Gjakovës.
”Stacioni Policor në Gjakovë, gjatë hetimeve lidhur me një rast të dhunës në familje, ku një mashkull dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike dhe ka kanosur bashkëshorten e tij, ka siguruar informacione shtesë se i njëjti posedonte armë pa leje.
Bazuar në këto informacione, është kryer një kontroll në vendbanimim e të dyshuarit, në fshatin Osek Pashë të Gjakovës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë automatike e llojit AK-47 me dy karikatorë dhe 566 fishekë dhe një pistoletë me tre karikatorë dhe 31 fishekë.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar rast penal për veprat penale: “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”” thuhet në njoftimin e Policisë