Policia e Kosovës ka mbajtur një trajnim me ushtarët amerikanë të KFOR-it për ndërhyrjet në pakot e dyshuara për bomba dhe për hapjen e automjeteve të dyshuara për bombë.
Në Bazën e Njësive Speciale “Vrella”, është zhvilluar me sukses një trajnim i përbashkët ndërmjet Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese të Policisë së Kosovës (NJTME) dhe KFOR US EOD.
Ky aktivitet është zhvilluar me qëllim të rritjes së kapaciteteve profesionale në identifikimin dhe çaktivizimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese (IED).
“Ky bashkëpunim operacional ndihmon në forcimin e aftësive të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave praktike dhe ngritjen e gatishmërisë për përballje me sfida të përbashkëta në fushën e sigurisë publike”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.