Policia e Kosovës ka njoftuar se do të zbatojë planin operativ “Loja e futbollit Kosovë-Greqi”.
Kombëtarja e Kosovës nesër do të zhvillojë ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve.
“Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri” do të presin Greqinë. Kjo ndeshje do të zhvillohet nga ora 20:45.
Në prag të kësaj ndeshje, Policia e Kosovës ka njoftuar për hartimin e planit, i cili do të zbatohet nesër.
PK-ja bëri të ditur se nga mëngjesi i nesërm do të jetën të bllokuara rrugët që shkojnë drejt stadiumit, si dhe ato përreth tij.
Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:
“Nesër, më 5 qershor 2022, përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të zhvillojë ndeshje ndaj Greqisë. Policia e Kosovës ka hartuar dhe do të zbatojë planin operativ për të ofruar siguri para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit. Policia do të kujdeset që në perimetrin e jashtëm (perimetri i dytë) të stadiumit të ofrojë siguri dhe të kujdeset për mbarëvajtjen dhe lëvizjen e personave në atë perimetër. Kështu, nesër që nga mëngjesi rrugët që shkojnë drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe përreth tij do të jenë të bllokuara për qarkullim dhe parkim të veturave. Pra, nuk do të lejohet hyrja e veturave nga rruga ‘Luan Haradinaj’ dhe ‘Fehmi Agani’ në drejtim të stadiumit dhe lëvizja apo parkimi përgjatë rrugës përreth stadiumit. Kurse veturat zyrtare që lejohen të futën në atë zonë duhet të jenë të pajisura me leje të parkingut dhe do të futen në parkim vetëm nga rruga ‘Tirana’.
Policia, në zbatim të planit operativ do të angazhohet edhe në kontroll më të detajuar të atyre që ia mësyjnë stadiumit dhe nuk do të lejohen gjëra që mund të paraqesin rrezik në situata të tilla si dhe gjëra që janë të ndaluara për hyrje në stadium. Për më tepër rreth gjërave të ndaluara i referoheni njoftimit të FFK-së në faqen e tyre zyrtare.
Personat të cilët nuk janë pajisur me bileta, apo të cilët përpiqen të qëndrojnë në afërsi apo për rreth stadiumit, sipas planit nuk do të lejohen të qëndrojnë, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve”.