Publicisti dhe gazetari, Agim Morina, i nxitur nga një shkrim i aktivistit të njohur Xhafer Shatri, në një postim të tij të titulluar: “Krimet serbe në Strellc” ka sjellë një rrëfim drithërues, siç shprehet Shatri: “Për mos me harru”, raporton Gazeta Demos. Është kjo dëshmi që kriminelët serbë (njëri prej tyre identifikohet edhe me emër e mbiemër), të cilët në vitin 1994 kryen krim ndaj të riut Arianit Curri nga Strellci i Epërm i Deçanit, në gjoksin e të cilit ia gërvishin me thikë simbolin serb me katër “C”. Gazeta Demos, me lejen e autorit, për lexuesit e saj, sjell postimin e plotë të Agim Morinës, po ashtu edhe të Xhafer Shatrit.
Postimi i plotë Agim Morinës:
Tue lexu sot një postim të Xhafer Shatrit më kapi një trishtim. Postimi i tij bante fjalë për në krim të policisë serbe në vitin 1994. Ata kishin arrestu një djalë të ri shqiptar, Arian Currin, dhe mbasi e kishin shtri përtokë ia kishin shqy këmishën dhe në gjoks ia kishin gërvishë me thikë simbolin serb me katër ‘C’-ja (në alfabetin cirilik ‘S’, dmth. “Samo Sloga Srbina Spasava” (“Vetëm pajtimi shpëton serbin”).
Dhe krimi i ka ndodhë një banori nga Strellc i Epërm. Eh, ky emën rrufeshëm më kthen mbrapa në vitin 1990. Në një krim tjetër, po aq makabër të klerofashistëve serbë. Strelllci ndodhet jo shumë larg Manastirit të Deçanit, në rrugën Deçan-Pejë dhe tash mendoj se ndoshta nuk ka qenë i rastësishëm, por me plan, përqendrimi i dhunës në këtë zonë.
Në redaksinë e gazetës “Bota e re” na erdhi lajmi se, pas tubimit për pajtimin e gjaqeve në Verrat e Llukës, më 1 maj 1990, një tubim që mblodhi me qinda mija pjesëmarrës, policia serbe kishte arrestu dhe kishte rrahë shum shqiptarë. Por, me dy shqiptarë kishte ndodhë një diçka edhe ma e randë: gjashtë policë serbë, mbasi i kishin rrahë dy shqiptarët i kishin marrë dhe e kishin dërgu në Shtëpinë e Shëndetit të katundit Strellc i Epërm dhe njënit i kishte qepë plagën një polic.
Në fillim kjo tingëlloi e pabesueshme! Kishim dëgju për çdo lloj keqtrajtimi të shqiptarëve, por kjo nuk kishte ndodhë ndonjëherë. U ktheva kah Ahmet Jasharit, një punëtor i palodhshëm të administratës në “Bota e re” nga Lipjani, që muejt e fundit më kishte shoqnu me makinën e tij nëpër shum vende nëpër Kosovë ku patën ndodhë krime të ndryshme nga policia serbe, dhe aj e kuptoi se ky do të ishte një udhëtim tjetër i radhës.
Kur arrijtëm në Strellc e gjetëm mjekun kujdestar të asaj dite, z. Ramadan Tahiraj. Aj na tregoi se kur kanë hy në mbrenda policët, infermierja. Have Sumaj, dhe mjeku shqiptar kishin mendu se shqiptarin fatkeq e kishin sjellë për t’ia trajtu plagët. Aty kishin qenë të pranishëm edhe Barjam Osaj, shofer dhe mamia, Time Çeku. Në vend që të trajtimit, policët kishin dhanë urdhën mjekut, Ramadan Tahiraj, me dalë nga dhoma, sepse “do ta trajtonin ata vetë”. Njëni polic, i kishte thanë infermieres që të përgatisë mjetet për qepjen e plagës. Mjeku Tahiraj kishte kundërshtu, por një polic ia kishte drejtu tytën e automatikut tue i thanë: “Doktore, postupi po naredjenju i pusti doktora da radi!” (Doktor, vepro sipas urdhnit dhe lene mjekun me punu!). Mbasi ka ba eksperimentin e vet, tue qepë plagën pa dorëza sterile dhe pa e dezinfektuar plagën, policët janë largu bashkë me dy shqiptarët e rrahun: Sevdail Sherifin nga Gjilani dhe Lutfi Gashin nga Llapushniku.
U kthyem në Prishtinë vonë mbasdite. I tronditun dhe i dëshpëruem dhe shkrova një artikull të gjatë për këtë krim. Artikulli u botu me datën 15 maj1990 të gazetës “Bota e re”.
Gazeta “Politika” e Beogradit, e datës 6 maj, tue e kuptu që ishte ba një veprim i padëgjuem kriminal, kishte botu një artikull me synimin që të arsyetojë këtë krim dhe thoshte se policët që kishin rrahë shqiptarët kishin qenë doktorë shkencash të mjekësisë. Por, për punën e këtyne “doktorëve”, mjeku Ramadan Tahiraj, kishte vërejtjet më elementare: kishin qepë tri plagët me gjylpanën e njëjtë, s’ishte dhanë kurrfarë serumi dhe kurrfarë antibiotiku, ndërsa plagët e njënit as që ishin mbulu. Së paku emni i njënit nga policët klerofashistë dihet. Aj quhet Veka Jokić (Jokiq). Edhe një punë shtesë për prokurorët tanë.
Postimi i Xhafer Shatrit
PËR MOS ME HARRU!
Arian CURRI nga Strellci i Epërm, komuna e Deçanit, asokohe ishte nxënës i shkollës së mesme. Më 6 prill të vitit 1994, Arianin e arrestoi policia serbe. Se çka pësoi atë ditë Arian Curri, në Stacionin e policisë në Pejë duhet të mbetet përgjithmonë e pashlyer në ndërgjegjen e shqiptarëve.
Falë Amnestisë Internacionale, dëshmia e Arianit, do të bëhet, gjithandej në botë, kryerrëfim për mizoritë serbe në Kosovë:
“… Pastaj më lidhën per një radiator dhe tre oficerë të policisë hipën mbi mua. Njëri prej tyre, pasi ma hoqi këmishën, e nxori thikën dhe, me maje të saj, vizatoi në gjoksin tim kryqin dhe 4 S të alfabetit cirilikë…”
Këto shkronja, që janë pjesë e ëmblemës serbe në flamur e gjetiu, kanë këtë përmbajtje: Samo sloga serbina spasava (Vetëm uniteti serbët i shpëton).
Për turpin e organeve shtetërore të Kosovës, deri sot asnjë prokuror nuk ka ngritur padi penale për një krim si ky madje as edhe për krime shumë më të mëdha e më të rënda.