Vala e të nxehtit afrikan vazhdon të mbetet prezent në Kosovë edhe për gjatë dy ditëve të para të javës së ardhshme, sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.
Sipas IHMK-së, nga dita e mërkurë, kalimi i një fronti të freskët pritet të sjellë një rënie të dukshme të temperaturave maksimale. Ky fenomen do të ndikojë në kushte më të freskëta dhe një ulje të ndjeshme të temperaturave gjatë ditës.
Nga dita e mërkurë, parashikohen reshje shiu, të cilat mund të shoqërohen me stuhi dhe shkarkime rrufesh. Erërat do të jenë të lehta deri të moderuara, me drejtime kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, ndërsa lokale mund të shfaqen erëra të forta në formë stuhish.
Kjo periudhë do të shoqërohet me një ndjeshmëri të ndryshuar të motit, që do të ndikohet nga faktorë atmosferikë të ndryshëm si kalimi i fronteve dhe aktiviteti elektrik në atmosferë.
Sakaq, indeksi UV mbetet i lartë në ditën e hënë dhe të martë, pastaj vlerat e saj do të bien.
Parashikimi i plotë i motit për pesë ditët e ardhshme:
E hënë – Mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-37 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-5m/s.
E martë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund te sjellin riga shiu , kryesisht në disa zona të kufizuara .Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 12-18gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32- 37 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-9m/s.
E mërkurë – Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës do të intensifikohen duke bërë që në fusha barike të kemi ndryshime të mëdha. Kjo situatë meteorologjike do të krijoj kushte që mbi vendin tonë të bie shi i percjellur me breshër dhe shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11 deri 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 21-24gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë dhe lokalisht e fortë në formë stuhie nga drejtimi i verilindjes dhe i veriperëndimit.
E enjte- Mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9 deri 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes e lehtë deri mesatare.
E premte. Të premten parashihet të mbajë mot kryesisht me diell. Vranësirat mund të paraqiten për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 22-26 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-5m/s.