Gjuajtje me armë zjarri janë dëgjuar sot rreth orës 16:00 në rrugën “Mon Balaj” në Prishtinë, ku siç mësoi GazetaDemos nga burimet e veta, dy persona mbetën të plagosur. Të njëjtit u dërguan në QKUK, teksa në Qendrën Emergjente po vazhdojnë trajtimin mjekësor, raporton GazetaDemos.
Gjendje e tyre sipas drejtorit të Emergjencës, Naser Syla është stabile, teksa theksoi se tutje do të shikojnë se si do të vazhdojë trajtimi i tyre.
Policia pasi doli në vendin e ngjarjes ku dhe kreu ekzaminimin e nevojshëm për prova, u aktivizua për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve, me çrast për pak kohë u identifikuan dy persona.
Njëri nga ta ra në prangat e Policisë, teksa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati.
Në vendin e ngjarjes u morën rreth 15 prova nga Policia, teksa është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila tashmë është sekuestruar.
Po ashtu siç mësoi GazetaDemos nga vendi i ngjarjes,
Rastin e ka konfirmuar për GazetënDemos, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 16:00, është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Mon Balaj” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Policia në mënyrë aktive po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të sqarimit të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave që dyshohet të jenë të përfshirë në rastin në fjalë”, tha ai.
“Ndërlidhur me rastin e mësipërm , veprimet e shpejta operativo hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar të përfshirë në rast. Pak kohë pas ngjarjes njëri nga ta është arrestuar nga ana e policisë, ndërkaq tjetri është ende në arrati. Po ashtu është identifikuar edhe një veturë e përfshirë e cila është sekuestruar nga policia”, shtoi pak çaste më vonë Borovci.