Sport

Plisat kundërshtojnë ashpër emërimin e Bekë Berishës si kryetar i Sigal Prishtinës: S’ka lidhje me sportin

Tifogrupi i njohur “Plisat” ka dalë me një reagim të ashpër publik pas zhvillimeve të fundit në klubin e basketbollit Sigal Prishtina, duke e cilësuar zgjdhjen e kryetarit të ri si një nga ngjarjet më të turpshme në historinë e sportit të kryeqytetit.

Sipas Plisave, në një “kuvend të paligjshëm”, është zgjedhur në mënyrë të dhunshme dhe tinëzare kryetari i ri i klubit, pa transparencë dhe pa një proces të hapur garues.

Ata theksojnë se zgjedhja e udhëheqjes së klubit do të duhej të bëhej përmes ideve dhe vizionit për të ardhmen e KB Prishtinës, e jo në mënyrë të fshehtë.

Plisat akuzojnë drejtuesit aktualë të klubit për mungesë dashurie dhe interesi për zhvillimin e klubit, duke pretenduar se veprimet e tyre janë të motivuara nga frika dhe përpjekja për të mbuluar, siç thonë ata, keqpërdorime dhe shkatërrim të klubit ndër vite.

Në reagim përmendet edhe emri i Bekë Berishës, i cili sipas Plisave është zgjedhur kryetar i klubit, duke e cilësuar atë si joprofesional dhe të papërshtatshëm për këtë pozitë, si dhe si një person pa lidhje me klubin, sportin apo qytetin e Prishtinës.

“Plisat” kështu kanë deklaruar qartë se nuk i japin mbështetje këtij emërimi dhe as kryesisë aktuale.

REAGIM

Sot u përballëm me një nga ngjarjet më të turpshme në histori të sportit të Kryeqytetit. Dhunshëm, tinëzisht dhe padrejtësisht, ata që nuk e duan klubin e basketbollit Prishtina, u mblodhën sot në një të ashtuquajtur kuvend, për ta zgjedhur kryetarin e ri të klubit.

Ky Kuvend i paligjshëm do të anulohet. Zgjedhja e një kryetari do të duhej të ishte e hapur. Gara do të duhej të ishte për idetë e vizionin për klubin. Sot, shkatërruesit e klubit e shfaqën vetëm frikën e tyre, të cilën u munduan ta mbulojnë me një figurë nga jashtë si mburojë.
Këto veprime tregojnë që Plisat kanë të drejtë. Qëndrimet tona u vërtetuan sërish se janë të drejta. Në këtë kryesi nuk ka dashuri për klubin, nuk ka interes për zhvillimin e klubit, prandaj edhe veprojnë nëpër terr.

Vjedhjet, keqpërdorimet, shkatërrimin e klubit, nuk mund t’i fshihni duke sjellë në karrigen e kryetarit një njeri që nuk ka asnjë lidhje me klubin, as me sportin e as me kryeqytetin.

Bekë Berisha është njeri joprofesional dhe aspak kompetent për këtë fushë. Duke e pas parasyshë këtë dhe formën se si është zjedhur ky njeri, e si po vepron kjo kryesi e klubit, ata nuk e kanë mbështetjen e Plisave. Kryesia sot zgjodhi kryetar një person që as nuk është tifoz dhe që kurrë në jetë nuk e ka përkrahur këtë klub.

Blerand Stavileci, Florian Miftari e Arsim Svirca, frika është ajo që ju karakterizon, andaj keni menduar që mënyra më e lehtë të përballeni me frikën është duke vendosur para jush “gardian”, por ju nuk e kuptoni që në botën e vërtetë kjo është e pavlerë. Ju do të gjykoheni për veprimet tuaja si udhëheqës të klubit. Për shkatërrimin e hajnitë që i keni bërë në klub. Nga kjo nuk do të mund t’ju shpëtojë asnjë figurë që e vendosni përpara vetes si mburojë.

Ashtu siç iu thamë edhe në mbledhje, ne nuk tërhiqemi. Ne nuk e pranojmë këtë kuvend. Këtë kryesi të turpit, e këtë Kryetar të instaluar paligjshëm e dhunshëm.

Në Kuvend ka qenë i pranishëm edhe Komandanti i Stacionit Policor të Prishtinës, Fatmir Balaj. Në çfarë cilësie është thirrë ky? Kur u bë ai delegat? Apo vetëm sa për të intimiduar? I njejti ka provuar edhe para disa kohësh të na shantazhojë në zyre të Policisë së Kosovës, për të na bërë të tërhiqemi nga kërkesat tona. Nëse ju mendoni që keni të drejtë, pse po frikësoheni?

Plisat nuk zbrapsen! Klubi është i joni.

Back to top button