Lajme

Plagosje me armë zjarri në Zhabar të Mitrovicës

Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Zhabar të Mitrovicës së Jugut.

Rreth orës 22:00, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për incidentin, ndërsa njësitet përkatëse kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, konfirmoi rastin duke bërë të ditur se një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur.

“Sot rreth orës 22:00 kemi pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në fshatin Zhabar, Mitrovicë e Jugut. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se një person i moshës madhore ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit. I njëjti është dërguar në spital për tretman mjekësor,” deklaroi Zahiti.

Ai shtoi se njësitet përkatëse policore janë duke zhvilluar hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me motivet apo të dyshuarit për këtë incident.

Back to top button