Sot ka diplomuar gjenerata e 61-të e Policisë së Kosovës, 462 policë të rinj përmes një ceremonie. Në mesin e tyre diplomoi edhe Gazmend Mehmetaj i ri, i cili mban emrin e dëshmorit, Gazmend Mehmetaj.
Për këtë arritje ka folur vetë Mehmetaj, i cili e quajti ëndërr të realizuar diplomimin e tij.
Arritja e tij në Policinë e Kosovës s’ishte vetëm një ëndërr për Gazmendin e tij, pasi tha se kontributin për atdhe e mori si amanet nga heroi të cilit sot ia mban edhe emrin.
“Me përkushtim, disiplinë dhe përpjekje të palodhura, sot përmbushet një ëndërr dhe fillon një mision i madh. Sot, me krenari , diplomova si Polic i ri i Kosovës, duke përmbushur një ëndërr që nuk është vetëm e imja, por ishte edhe e Heroit Gazmend Mehmetaj ‘Kaçurreli,’ i cili ëndërronte të shihte Kosovën me Ushtrin dhe Policin e saj.
Këtë ëndërr e mora si amanet dhe e realizova si trashëgimtar i tij. Kjo arritje është dedikim për kujtimin dhe sakrificën e tij. Vazhdojmë përpara me nder, drejtësi dhe besnikëri ndaj vendit tonë!”, tha Mehmetaj.