Lajme

Philips: Zgjedhjet ka gjasa ta konfirmojnë status quo-në, do të ishte një hap shumë i keq për demokracinë e Kosovës

Eksperti amerikan i çështjeve të Ballkanit, David Phillips, ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme në Kosovë rrezikojnë të sjellin konfirmimin e status quo-së politike, gjë që sipas tij do të përbënte një goditje serioze për zhvillimin demokratik të vendit, raporton GazetaBlic.“Zgjedhjet ka gjasa ta konfirmojnë status quo-në, gjë që do të ishte një hap shumë i keq prapa për demokracinë e Kosovës,” ka thënë Phillips për GazetaBlic.

Ai tutje ngriti shqetësime për mungesën e dinamizmit politik dhe reformave thelbësore.Kujtojmë se, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërbëri Kuvendin e Kosovës, i cili nuk arriti të zgjidhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Gjatë një konference për media, pas takimit që mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin, dhe se tri parti thanë se cilado datë do të ishte në rregull për to.“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar”, tha Osmani.

“Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Osmani teksa arsyetoi vendimin e saj për datën 28 dhjetor.Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button