Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës sot ka marrë vendim për pezullimin e lejeve të lëshuara ndaj kompanisë Wallingford International Kosovo për ndërtimin e fabrikës së çimentos në Dollc të Klinës.
Lajmin për Nacionalen e ka konfirmuar Veton Rraci, një prej organizatorëve të protestës së banorëve të fshatit Dollc për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës së çimentos.
Procedurat për lëshimin e lejeve ndaj kompanisë Wallingford International Kosovo kishin nisur në vitin 2019, dhe ku përfshiheshin Komuna e Klinës, Ministria e Ambientit, Ministria e Bujqësisë, dhe dikur ishte përfshirë edhe Ministria e Administristratës Publike.
Ministria e Ambientit më 17 mars 2021 nxirrte ‘‘Vendim për Pëlqim Mjedisor për Fabrikën për prodhimin e Çimentos në lokalitetin Dollc, Komuna Klinës’’, pas kërkesës së kompanisë të bërë në drejtim të ministrisë.
Kjo i hapte rrugë kompanisë Wallingford International Kosovo për ndërtimin e fabrikës në pronë publike me sipërfaqe 35 hektarë 20 ari e 94 metra katrorë.
Paraprakisht edhe Komuna e Klinës kishte nxjerrë vendim dhe e kishte pajisur me leje përkatëse kompaninë.
Kuvendi Komunal i Klinës ka votuar për të tërhequr lejet e lëshuara për kompaninë, mirëpo së fundmi Komuna e Klinës ka lëshuar leje të ndërtimit për kompaninë në fjalë, anipse vendimi është kundërshtuar e po kundërshtohet nga banorët. Komuna është arsyetuar se vendimit të saj i kanë paraprirë vendimet e disa ministrive.
Nuk dihet saktë se sa do të investojë kompania Wallingford International Kosovo L.L.C, mirëpo kanë qarkulluar disa shifra multimilionshe, duke nisur prej 90 milionë euro, e duke u përmendur edhe shifra 220 milionë euro si investim.
Mirëpo, çka bie në sy është se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C tek Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovës (ARBK) nuk ka as për së afërmi shumën e pretenduar për investimin multimilionësh.
Gazeta Nacionale ka gjetur se kompania Wallingford International Kosovo L.L.C ka vetëm 1 mijë euro të deklaruar si kapital themeltar. Kompania nën pronësi të Atdhe Kollçakut, me 100 për qind të aksioneve, ka të regjistruar vetëm një punëtor.