Lajme

Pezullimi i dialogut strategjik, Shtuni: SHBA është lodhur me papjekurinë dhe veprimet e papërgjegjshme të Kurtit

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, Ardian Shtuni, ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për qasjen e tij ndaj partnerëve strategjikë, sidomos Shteteve të Bashkuara. Shtuni paralajmëroi se pezullimet dhe masat nga ana e SHBA-së janë të mundshme, ndonëse shpreson që të mos realizohen.

Ai theksoi se masat janë gjithmonë proporcionale me veprimet e qeverisë dhe se Kurti po tregohet “shumë kreativ dhe i paparashikueshëm” në mënyrën se si po tensionon marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.

“Në parim masa ka plot. Mund të ketë pezullime të ndryshme, shpresoj që nuk do të jetësohen. Por nuk dua të spekuloj. Masat janë proporcionale me veprimet që merren, dhe kryeministri në detyrë është treguar mjaft kreativ dhe i paparashikueshëm kur vjen puna te gjetja e mënyrave të reja për të acaruar marrëdhëniet me partnerët strategjikë”, tha Shtuni në Click të RTV21.

Ai ka ngritur shqetësimin se Qeveria e Kosovës po injoron paralajmërimet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shtuni ka theksuar se dështimi për të pasur një qasje më konstruktive mund të ketë pasoja serioze për raportet ndërkombëtare të vendit. “Washingtoni qartazi ka kërkuar një qasje tjetër, më konstruktive dhe në përputhje me obligimet që ka pasur Kosova. Kjo nuk ka ndodhur, pavarësisht paralajmërimeve të shumta që janë dhënë. Po humbet shumë kohë”, tha Shtuni.

Ai gjithashtu ngriti alarmin për raportet Kosovë–SHBA, duke theksuar se paralajmërimet e mëhershme të Uashingtonit janë injoruar nga autoritetet kosovare.

Sipas tij, veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe kryeminsitrit në detyrë, Albin Kurtit dhe pezullimi i dialogut me ndërmjetësimin ndërkombëtar po rrezikojnë pozicionin ndërkombëtar të vendit dhe afrimin me partnerin strategjik amerikan.

Ai tutje ka shtuar se ”kjo është kosto e madhe për Kosovën dhe për këtë duhet dikush të marrë përgjegjësi”.

”Perkushitmi i SHBA-së për popullin e Kosovës është i palëkundur mendoj që është lodhur me papjekurinë dhe me veprimet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe kryeministrit në detyrë. Pezullimi i dialogut është kusur i Kosovës pasi e bllokon afrimin e shtetit diplomatikisht ekonomikisht dhe planin e sigurisë me SHBA-të. Sinjal shqetësues”, tha Shtuni.

Lexo gjithashtu
Close
Back to top button