Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizitoi sot Komunën e Podujevës, me rastin e përurimit të shkollës së re “Musli Dumoshi” në fshatin Dumosh dhe “Ali Hadri” në fshatin Obranqë.
Vlera financiare e shkollës “Musli Dumoshi” që u përurua sot është mbi 584 mijë euro, derisa afër gjysmë milionë euro të tjera u investuan në shkollën “Ali Hadri”, e cila ka filluar të ndërtohet në shtator të vitit 2022.
Fillimisht, para banorëve të fshatit Dumosh që kishin ardhur për të festuar përurimin e shkollës së re, kryeministri Kurti u shpreh se muaji shtator është muaji i rifillimit të rrugëtimit të përbashkët, të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit, për një të ardhme që pasqyron vlerat më të mira të kombit tonë, teksa uroi për një vit të mbarë dhe të suksesshëm.
Ai ktheu në kujtesë të pjesëmarrësve vendosjen e gurthemelit të shkollës “Musli Dumoshi” dhe fillimin e ndërtimit të saj me 19 qershor të vitit të kaluar, e cila përkon me Ditën e Çlirimit të Podujevës.
“Uroj që kjo shkollë, e çdo tjetër në vendin tonë, të jetë burim frymëzimi për çdo fëmijë, që të përqafojë dijen e të kërkojë më të mirën nga vetja, nga shoqëria, nga bota… e bashkë me rrjedhën e lumit të Dumnicës, të pandalshme i paçi edhe sukseset tuaja”, u shpreh kryeministri në fjalën e tij.