Përshkallëzohen protestat në Nepal, gruaja e ish-kryeministrit digjet e gjallë

Bashkëshortja e ish-Kryeministrit të Nepalit, Jhala Nath Khanal, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasi u përfshi nga flakët, kur shtëpia e saj u dogj gjatë protestave të dhunshme kundër qeverisë që kanë kapluar vendin, sipas raportimeve nga mediat lokale. Godina e Parlamentit të Nepalit, së bashku me rezidencat e disa figurave të rëndësishme politike, janë shkatërruar nga zjarri gjatë këtyre trazirave, të cilat e kanë futur vendin në një krizë serioze.
Lëvizja protestuese, e udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, shpërtheu me intensitet të madh pasi autoritetet vendosën të bllokojnë përdorimin e rrjeteve sociale. Megjithatë, zemërimi i qytetarëve buron kryesisht nga shkalla e lartë e korrupsionit dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë.
Pas demonstratave, kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke deklaruar se vendimi vjen për të lejuar vendin të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt një zgjidhjeje politike dhe për të adresuar problemet që po tronditin shoqërinë nepaleze. Dorëheqja e tij vjen në një moment tejet të tensionuar, pasi vendi është përfshirë nga protesta masive dhe përplasje të dhunshme.
Protestat, që tashmë kanë hyrë në ditën e dytë, janë përshkallëzuar ndjeshëm, duke marrë një kthesë dramatike kur turma protestuesish dogjën ndërtesën e parlamentit të Nepalit. Ky akt erdhi si shenjë zemërimi pas vrasjes së 19 demonstruesve nga forcat e sigurisë gjatë përplasjes së fundit në rrugët e Katmandusë. Përveç ndërtesës së parlamentit, protestuesit kanë sulmuar dhe djegur shtëpi dhe zyra të politikanëve, si dhe selitë e partive politike, duke e kthyer kryeqytetin dhe qytete të tjera në skena trazirash të mëdha. Situata mbetet e tensionuar dhe me prani të shtuar të forcave të sigurisë nëpër rrugë. Pas djegies së selive shtetërore, presidenti Ramchandra Paudel u ka bërë thirrje protestuesve për unitet kombëtar.