Përplasje në parlamentin shqiptar – PS voton programin e “Rama 4 “, mbyllet seanca

Mes debateve dhe përplasjeve, me vetëm 82 votat e shumicës parlamentare, u miratua programi politik i qeverisë 2025-2029 dhe kabineti i ri i qeverisë “Rama 4” në Shqipëri.
Kjo është hera e parë që një program qeverie nuk prezantohet, por votohet direkt në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta.
Seanca ishte parashikuar të zgjaste më shumë se 25 orë me debat, ku fokusi do të ishte te programi i qeverisë dhe argumentet e opozitës ndërsa menjëherë pas votimit, kryeministri shqiptar Edi Rama u largua.
Sali Berisha mbërriti me vonesë, pasi seanca ishte mbyllur ndërsa deputetët e opozitës hodhën rregulloren e Kuvendit dhe një shishe uji drejt Ramës dhe Peleshit.
Efektivë të Gardës së Republikës u pozicionuan në mbrojtje të drejtuesve të seancës ndërsa deputetët e opozitës u ngritën dhe qëndruan para foltores së Kuvendit.
Pas kundërshtimeve të ashpra nga opozita në sallë, kryetari i seancës Niko Peleshi njoftoi se grupi i Partisë Demokratike, përmes veprimeve të tij, refuzon të dëgjojë programin e qeverisë “Rama 4”.
Për pasojë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste u tërhoq nga diskutimet dhe kërkoi kalimin e menjëhershëm në votim të programit politik, shkruan Euronews.al
Programi i qeverisë “Rama 4” u votua me 82 vota, përmes votimit elektronik të hapur ndërsa gjatë tensioneve në seancë, deputeti Gazment Bardhi hodhi letra drejt kryeministrit Rama dhe kryetarit të seancës, Peleshi, si shenjë proteste.
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën se, nëse nuk lejohet zhvillimi i një debati normal gjatë seancës, mazhoranca do të kalojë drejtpërdrejt në procesin e votimit.
“Nëse nuk do të lejoni që këtu të zhvillohet një debat normal, do të kalojmë në proces votimi. Edhe një herë, ju kërkoj të më lini të vazhdoj fjalën. Nëse nuk doni, do të kalojmë në votim”, tha Rama