Përparim Rama në përurimin e renovimeve në tri shkolla: Prishtina përtej me aftësi dhe të ardhme

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në përurimin e renovimeve në tri shkolla të ndryshme në Prishtinë.
Rama në një postim në rrjetin social Facebook, bëri të ditur se shkolla “Gjin Gazulli” është pajisur me laboratorë, shkolla “7 Shtatori” me kabinete e klasa të ndritura, kurse shkolla “Zenel Hajdini” me hapësira për mësim tërëditor.
I pari i kryeqytetit ka thënë se arsimi është e ardhmja e qytetit.
“Arsimi është e ardhmja e kryeqytetit, dhe sot hapëm kapituj të rinj për tri shkolla! Gjin Gazulli – në fazën përfundimtare, me laboratorë modernë dhe teknologji bashkëkohore, po ndërtohet si qendër e dijes për gjeneratat e reja, gjithashtu në partneritet me LuxDev. 7 Shtatori – falë bashkëpunimit me LuxDev e një investimi mbi 2.2 milionë €, kemi objekt profesional me standarde europiane për mbi 300 nxënës që do të mësojnë në kuzhina moderne, klasa të ndritura e kabinete teknologjie bashkëkohore. Zenel Hajdini –pas renovimeve kemi krijuar ambiente moderne dhe efikase ku shumë shpejt nis mësimi terëditor, hapësira të denja ku fëmijët tanë mësojnë e rriten me kushte më të mira”, ka shkruar Rama.
“Prishtina përtej, me shkolla që rrisin dije, aftësi dhe të ardhme!”, përfundon postimi i kryetarit të Prishtinës.