Përparim Rama: Kam aplikuar me letërnjoftim të Kosovës

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se ka aplikuar për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve me letërnjoftim të UNMIK-ut.

Rama ka deklaruar për Express se në KQZ ka aplikuar për certifikim me letërnjoftim të Republikës së Kosovës, të cilin e ka amrrë në muajin qershor.

Ai tha se në KQZ ka ndodhur ndonjë gabim teknik.

“Nuk e di pse ka dalë ai lajm, unë letërnjoftimin e kam të Kosovës, janë numrat nga letërnjoftimi i Kosovës, me siguri kanë bërë ndonjë lëshim teknik”, deklaroi Rama.

Rama tha se ky lëshim i KQZ-së do të rregullohet deri të premten.

“Prej anës time çdo gjë është në rregull. Me siguri ky problem teknik do të rregullohet deri të premten”, ka deklaruar Rama.

Rama ka dërguar edhe një fotografi të letërnjoftimit, të cilin e ka marrë në muajin qershor të këtij viti.

Ndryshe, për këtë çështje janë deklaruar sot edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ, ka deklaruar për Express se nga data 17 gusht, zyra për regjistrim të partive politike dhe certifikim ka filluar t’i njoftojë subjektet politike për korrigjimet që duhet të i bëjnë.

“Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale që subjektet politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet Brenda afatit të caktuar nga Zyra”, ka deklaruar Elezi.

Elezi ka thënë se kanë zhvilluar komunikim me të gjitha subjektet politike ku është vërejtur ndonjë gabim apo mungesë dokumentacioni.

“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet.    Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati.    Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, thotë ai.

Reklama