Numri i viktimave nga përmbytjet e befasishme që goditën Teksasin qendror të premten ka kaluar tashmë mbi 100 persona, shkruan BBC.
Ndërsa, ende shumë persona rezultojnë të zhdukur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit po kalojnë nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndërsa reshje të tjera shiu dhe stuhi kërcënojnë rajonin. Megjithatë, shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen katër ditë pas katastrofës.
Kampi Mystic, një kamp veror i krishterë vetëm për vajza, konfirmoi se të paktën 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë mes viktimave. Dhjetë vajza dhe një këshilltare e kampit rezultojnë ende të zhdukura.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë sugjerimet se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund të kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.
Të paktën 84 nga viktimat – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – humbën jetën në qarkun Kerr, ku lumi Guadalupe u fry nga reshjet e dendura para agimit të së premtes, ditën e pushimit kombëtar të 4 Korrikut.
Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë ende nuk janë identifikuar, njoftoi zyra e sherifit të qarkut.