Numri i të vdekurve si pasojë e përmbytjeve në të gjithë Teksasin qendror ka arritur në 80 .
Së paku 41 të tjerë janë ende të zhdukur pas përmbytjeve. Dhjetë vajza dhe një këshilltar nga kampi Mystic nuk janë gjetur ende.
Zyrtarët thonë se numri i viktimave me siguri do të rritet.
Në 24 deri në 48 orët e ardhshme, në rajon priten stuhi të tjera, që mund ta vështirësojnë edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit.
Ato tashmë janë duke u përballur me rreziqe – si nga gjarpërinjtë helmues – derisa vazhdojnë kërkimet mes baltës dhe rrënojave.
Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha të dielën se autoritetet do të bëjnë gjithçka që është e mundur, për të gjetur çdo person që ende mungon.
“Ishte e tmerrshme të shihje se çfarë përjetuan ata fëmijë të vegjël”, tha Abbott, një ditë pasi vizitoi zonën.
Presidenti Donald Trump nënshkroi të dielën një deklaratë për gjendje të jashtëzakonshme në Qarkun Kerr, duke aktivizuar kështu Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas.
Ai, gjithashtu, tha se mund ta vizitojë këtë shtet të premten.
“Po punojmë nga afër me përfaqësuesit nga Teksasi dhe është një gjë e tmerrshme ajo që ka ndodhur – absolutisht e tmerrshme”, tha Trump.
Në Romë, Papa Leoni XIV bëri lutje të veçanta për viktimat në Teksas. /REL/