Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka folur lidhur me dështimin për të nënshkruar me Kylian Mbappen.
Sulmuesi francez ishte i lidhur ngushtë me një kalim në “Santiago Bernabeu”, por në fund vendosi për të rinovuar kontratën me Paris Saint-Germainin.
Presidenti i Real Madridit bëri të ditur se klubi që ai udhëheq nuk ka pasur asnjë para-kontratë me 23-vjeçarin. Ai gjithashtu tha se nuk ndjehet i tradhtuar nga Mbappe.
“Ne nuk nënshkruam asnjë para-kontratë apo marrëveshje me Kylian Mbappe sepse nuk është e rregullt. Kylian Mbappe nuk më tradhtoi. Mbappe na tha se ëndrra e tij ishte të luante për Real Madridin, shumë herë. Por, më pas e gjitha ndryshoi për 15 ditë për shkak të presionit politik dhe ekonomik. Ëndrra e tij duhej të ndryshonte”, tha Perez për “El Chiringuito”.
“Unë mendoj se nëna e Kylian Mbappes donte që ai të bashkohej me Real Madridin, ajo e di se kjo ka qenë gjithmonë ëndrra e Kylianit. Jam i sigurt që ajo donte që Mbappe të bashkohej me ne, por gjërat ndryshojnë dhe ne duhet ta respektojmë. Unë ende e respektoj Kylianin, absolutisht”, shtoi presidenti i klubit spanjoll.
Ndryshe, Mbappe tani ka kontratë të vlefshme me Parisin deri më 30 qershor 2025.