Gjatë ditës së djeshme në një mbledhje të Këshillit Drejtues të Institutit të Historisë në Prishtinë, të drejtuar nga ana e Fitim Rifatit, është anuluar konkursi për Drejtor të Institutit të Historisë.
Ditë më parë, Këshilli Drejtues kishte votuar pro anulimit të konkursit, votimin e të cilit e kishte bërë të ditur nëpërmjet një shkrese, drejtuesi i këtij Këshilli, Fitim Rifati dërguar anëtarëve të Institutit të Historisë.
Historiani Shkodran Imeraj, kandidat për Drejtor, i kontaktuar nga GazetaDemos, e ka konfirmuar se si kandidat është njoftuar se konkursi është anuluar, por që vendimi me shkrim dhe arsyetim nuk është përcjell ende.
“Skandali në konkurset për Drejtor në Institut, ka emër dhe mbiemër. Ky Këshilli, në drejtimin e Fitim Rifatit brenda një muaji ka anuluar dy herë konkursin e njëjtë, që është skandal i paparë më herët”, tha Imeraj duke shtuar se “Instituti është duke u udhëhequr nga klane të caktuara të drejtuar nga u.d.Drejtoresha Teuta Shala dhe Gjon Berisha”.
Sipas tij, Berisha ka keqpërdorur detyrën e tij të koordinatorit të projektit “Historia e Kosovës” të cilin ai e koordinon që më shumë se pesë vite, tha Imeraj.
Instituti i Historisë që nga qershori i vitit 2022 është pa drejtor pas skadimit të mandatit të Sabit Syla dhe udhëhiqet nga u.d. Drejtoresha Teuta Shala-Peli.