Pas dy dështimeve për konstituimin e Kuvendit, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, thotë se ekzistojnë dy mundësi për zgjidhjen e situatës politike.
Peci thotë se opsionii parë është që formimin e qeverisë ta bëjë LVV-ja dhe opsioni tjetër është shkuarja në zgjedhje,
Madje, për opsionin e dytë, Peci bazohet në propozimin e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka propozuar që Kosova të shkojë në zgjedhje më datë 15 qershor.
Për këtë propozim, Peci vlerëson që nuk duhet të hedhur poshtë si mundësi.
“Nuk mundemi ne të votojmë për mandatet e deputetëve të tjerë, ndërsa ata të mohojnë ekzistencën e vetë, duke tentuar që me e demtua në këtë rast koalicionin dhe kryeministrin Albin Kurti. Opsioni tjetër që unë mendoj që është real dhe që mundet me ndodhë dhe që mundet me qenë në dobi ndoshta edhe të Kosovës dhe të leksionit të këtyre që mohojnë vullnetin e qytetarëve. Meqenëse, PDK-ja ka dalë me propozime konkrete. E pash që kryetari i kësaj partie, ka deklaruar që data 15 qershor mund të jetë njëra prej datave të përshtatshme për zgjedhje të reja. Unë mendoj që nuk është propozim i keq. S’po them që e përkrahi, por s’është propozim që duhet me hedh poshtë. Bile, ka bërë mirë që nuk ka bërë një propozim të mëhershëm, posaçërisht me atë pjesën që ndërlidhet me datën 12 qershor, për shkak që është Dita e Çlirimit. Ta festojmë këtë festë, dhe është mundësia që edhe data 15 qershor të jetë një datë që potencialisht, ose një datë tjetër e mbajtjes së zgjedhjeve të reja”, tha Peci në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai thotë se LVV-ja nuk është duke bërë kalkulim me opsionin e dytë, por që sipas tij është legale dhe Kushtetua e Kosovës e lejon edhe shkuarjen në zgjedhje të reja.
“Nuk është kalkulim, është çështje legale dhe kushtetuese. Ne nuk jemi për të shkaktuar shkelje ligjore dhe kushtetuese”, deklaroi ai.