Pas raportimeve për trajtime të dyshimta të autizmit, KOMF paralajmëron prindërit
Shkenca moderne punon çdo ditë për të kuptuar autizmin dhe për të zhvilluar trajtime të bazuara në prova, që ndihmojnë fëmijët dhe familjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive.
Megjithatë, në Kosovë po shfaqen raste ku prindërit drejtohen drejt metodave të dyshimta, që nuk bazohen në shkencë dhe mund të rrezikojnë shëndetin e fëmijëve.
Raportimet e fundit nga lajmi.net tregojnë se disa individë po ofrojnë ilaçe të destinuara për kafshë, duke pretenduar se ato mund të shërojnë autizmin.
Një rast i tillë tregon se me 4 mijë euro në xhep dhe premtime të dyshimta, prindërit e fëmijëve me autizëm po udhëtojnë drejt Gjilanit për të takuar Arianit Sllamnikun, i cili pretendon se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut.
Ministria e Shëndetësisë ka ndjekur me shqetësim këto raportime dhe u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar institucionet kompetente dhe janë në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, duke theksuar se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional.
Po ashtu, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) shpreh shqetësim të thellë lidhur me rastin. Sipas KOMF-it, përhapja e pretendimeve të pabazuara shkencërisht për “shërimin” e autizmit është e rrezikshme, sepse devijon vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve, si mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara dhe shërbime të bazuara në evidencë. Organizata gjithashtu thekson se promovimi i premtimeve mashtruese rrit pritshmëritë joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, duke nxitur keqkuptime mbi nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
KOMF kërkon informim të përgjegjshëm, përmirësim të politikave publike dhe investim në kapacitete që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Sipas tyre, çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është e papranueshme dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.