Ditën e djeshme u arrestuan. U dërguan në zyret e EULEX-it në Fushë Kosovë, e aty u mbajtën për 24 orë.
As avokatët e as familjarët nuk e lejuan të kenë asnjë kontakt.
Në këtë formë u mbajtën të arrestuar Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu.
Të njëjtit u ndaluan ditën e djeshme nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, si të dyshuar për pengim të drejtësisë.
Pas 24 orë mbajtje në EULEX, të tre u nisën dhe u dërguan në Hagë.
Prezent afër zyreve të EULEX-it ishte Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut. Ai tha se nuk është lejuar të ketë asnjë kontakt me prindin e tij.
“Mirëmëngjesi bablok jem a je çu a ke pushu? Qëndro i fortë siç dite me qëndru i fortë e stoik edhe kur t’i vrau Serbia dy vëllezërit e tu, Heronjtë e Kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Liri të shpejtë për gjithë çlirimtarët!”, ka shkruar ai.
Një reagim e ka pasur edhe Valon Murati, teksa ka publikuar pamjet e nisjes për në Hagë.
“Në Kosovën e lirë duke i çu në Hagë, në gjykim, duke i përshëndet pa i takuar, shtyllat e lirisë së Kosovës. Ballëlartë Fadil Fazliu siç ishe përherë!”, ka shkruar ai.
Ditën e djeshme Prokuroria e Hagës konfirmoi se kanë ndërmarrë disa operacione, megjithatë asnjë detaj tjetër nuk u dha.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftim.
Këto zhvillime nxitën shumë reagime ditën e djeshme. Bastisje pati edhe në shtëpinë e Hajredin Kuçit.