Dështoi zgjedhja e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, për kryetar të Kuvendit të Kosovës në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive.
Në seancë nga 115 deputetë të pranishëm, 57 votuan për, 52 kundër dhe 7 abstenime.
Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën dhe njoftoi se vazhdimi i saj do të jetë më 24 gusht.
Propozimi i bërë nga Donika Gërvalla për Hekuran Muratin për kryeparlamentar u përcoll me reagime të zëshme të deputetëve në sallë.
Më parë, në vazhdimin e seancës të hënën më 20 gusht, Lëvizja Vetëvendosje propozoi njërën pas tjetrës Albulena Haxhiun dhe Donika Gërvallën për kryeparlamentare. Asnjëra nga kandidatet nuk mori 61 votat e nevojshme.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive ishte i dyti pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.
Partitë po vazhdojnë me akuza të ndërsjella për bllokadën në Kuvend.
Pas seancës së 20 gushtit, Vetëvendosje V-ja akuzoi PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe Listën Serbe se po bllokojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit, duke vlerësuar se u vërtetua se problemi nuk ishte tek emri i Albulena Haxhiut, por problemi është Vetëvendosje.
Nga ana tjetër, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë e akuzuan Vetëvendosjen se qëllimshëm ka kandiduar Haxhiun dhe Donika Gërvallën, pasi thanë se partia fituese e zgjedhjeve e ka ditur se ato nuk kanë vota.
Haxhiu: Opozita po e mban peng Kuvendin për të penguar Qeverinë Kurti 3
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, akuzuar opozitën për bllokimin e qëllimshëm të konstituimit të Kuvendit, duke thënë se qëllimi i saj është të pengojë vazhdimin e qeverisjes së pas vitit 2021, raporton Ekonomia Online.
“Çështja nuk është një emër, çështja është se opozita po dëshiron ta kthejë situatën para 14 shkurtit 2021. Ata po bëjnë çmos për të penguar konstituimin e Kuvendit dhe Qeverinë Kurti 3”, tha Haxhiu.
Ajo shtoi se opozita, në vend se të sfidojë me pyetje parlamentare dhe debate, po e mban peng Kuvendin.
“Çështja nuk është te një emër, çështja është se opozita po dëshiron që ta kthejë situatën para 14 shkurtit të vitit 2021 dhe jo që të vazhdojë qeverisja e mirë pas vitit 2021 e tutje. Ata po bëjnë çmos për të penguar konstituimin e Kuvendit, për të penguar Qeverinë Kurti 3. Për bindjen time kjo është një opozitë e çoroditur, sepse në vend që të konstituohet Kuvendi dhe pastaj të na sfidojnë me pyetje parlamentare, me debate, me projektligje, këta e mbajnë peng Kuvendin e Kosovës. Për mua si ministre në detyrë është e rëndësishme që t’i jap llogari Kuvendit të Kosovës”, tha Haxhiu.
Krasniqi: VV po e zvarrit konstituimin e Kuvendit, ministrat nuk kanë shans të marrin vota
Kryetari i PDK-së dhe deputeti, Memli Krasniqi, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit me qëllim konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar mungesën e përpjekjeve serioze nga ana e saj, raporton Ekonomia Online.
“Janë edhe 35 kandidatë të tjerë që i ka VV, që po të viheshin në votim, ndoshta sot do të kishim të zgjedhur edhe kryetarin, edhe konstituimin e Kuvendit”, tha Krasniqi.
“Nëse dikush ka pasur dyshimin më të vogël që VV-ja ka pasur përpjekje të vërtetë, u bë e qartë se një gjë e tillë u vërtetua. Vetëm po vijnë në seancë për të humbur kohë dhe për të zvarritur këtë 30-ditësh, për të hyrë në thellim të krizës. Me vetëdije nuk po dëshirojnë të konstituojnë ministrat. Nuk kanë shans të marrin vota”, shtoi ai.
Haziri: Kosova po rrezikon të futet në një “gropë të zezë” institucionale
Nënkryetari i LDK-së dhe deputeti, Lutfi Haziri, vlerësoi se vendi ndodhet në një ngërç serioz dhe kërkoi ndërtimin e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte zgjedhjen e organeve institucionale.
“Po shfrytëzohet e drejta për propozim. Nuk kemi kurrgjë të re, duke shfrytëzuar të drejtën për propozim e zbatojmë vendimin e Gjykatës. Duhet të konfirmohet që vendimet politike nuk i zgjidhin gjykatat, sepse po shihet e pamjaftueshme që të shfrytëzohet e drejta e propozimit pa e siguruar votën. Është pozicion i shkurtër politik. Uroj që të kalojmë këtë kulminacion politik partia e parë dhe të ndërtojmë një marrëveshje, e cila i garanton të propozuarit që mund të zgjidhet. Duhet punuar shumë që një marrëveshje politike të bëhet realitet dhe të debllokohet kjo ngufatje institucionale, sepse Kosova sot nuk ka as Kuvend, as Qeveri, s’ka legjitimitet të plotë as pushteti lokal. Për disa javë apo muaj as Presidentja nuk do ta ketë funksionin. Kosova hyn në një gropë të zezë institucionale, e cila nuk mund të parashikohet”, tha Haziri.
Haradinaj: S’ka arsye të mbahet e fshehtë kandidatura për kryetar të Kuvendit deri në seancë
Kryetari i AAK-së dhe deputeti, Ramush Haradinaj, pas dështimit ët vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se nuk ka arsye që të mbahet e fshehtë kandidatura për kryetar të Kuvendit deri në seancë.
“E kisha kuptuar nëse bëhet fjalë për drejtorin e AKI-së. Por të mbahet sekret kandidatura deri në seancë edhe prej deputetëve është shumë e palogjikshme dhe ofenduese ndaj Kosovës”, tha Haradinaj.
Limaj: Po shtohet numri i abstenuesve, mirë është puna
Kryetari i Nismës Socialdemokrate dhe deputeti, Fatmir Limaj, tha se është normale që një kryetar Kuvendi, i cili ka shumicën, të trajtohet me respekt dhe seriozitet, ashtu siç ka qenë gjithmonë, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se kjo duhet të ndodhë edhe disa ditë përpara votimit.
Limaj gjithashtu përmendi se shtimi i numrit të abstenuesve është një zhvillim pozitiv në situatën aktuale.
“Po shtohet numri i abstenuesve. Mirë është puna”, tha ai.