Me miratimin e parlamentit turk për pranimin e Finlandës në NATO, të 30 anëtarët tashmë kanë ratifikuar anëtarësimin e vendit nordik.
Finlanda mori bekimin zyrtar të Ankarasë për kërkesën e saj për t’u bashkuar me aleancën, shkruan AA, transmeton GazetaDemos.
Duke braktisur dekada të mos-angazhimit ushtarak pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës vitin e kaluar në shkurt, Finlanda, së bashku me Suedinë, aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n majin e kaluar.
NATO i ftoi të dy vendet të bashkohen me aleancën në qershor dhe muajin e ardhshëm anëtarët nënshkruan protokollin e pranimit, duke shënuar fillimin e procesit të ratifikimit.
Kërkohet unanimiteti i plotë për të pranuar anëtarë të rinj në grupimin ushtarak.
Për të miratuar kërkesën e tyre, Türkiye, një anëtare e NATO-s për mbi 70 vjet, i kërkoi Stokholmit dhe Helsinkit të ndërmarrin veprime konkrete kundër grupeve terroriste si PKK dhe Organizata Terroriste Fetullah.
Në qershor, dy vendet skandinave nënshkruan një memorandum me Turqinë për të adresuar shqetësimet e sigurisë së kësaj të fundit dhe diplomatë të lartë dhe zyrtarë nga të tre vendet mbajtën takime të ndryshme për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes.
Gjatë procesit, Ankaraja sinjalizoi se mund të konsiderojë miratimin e aplikimit të Finlandës përpara atij të Suedisë dhe drita jeshile u dha të enjten.
Türkiye thotë se pavarësisht legjislacionit, Suedia ende duhet të ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër terrorizmit./Demos/