Tri organizata të shoqërisë civile, QIKA, QKSGj dhe RrGK, kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës.
Arsyeja e protestës ishte kundërshtimi i shpërblimeve për lindjen e fëmijve.
Duke hedhur tym në shenjë simbolike, këto tri organizata kanë kundërshtuar partitë politike, duke akuzuar se ato “po e shohin gruan si një mjet për riprodhim”.
“Partitë politike po e shohin gruan si një mjet për riprodhim. Diskursi i tyre parazgjedhor është një fushatë për kontroll mbi trupat tanë. Një parti premton 500 euro, një tjetër 5000, të tjerat paga e shtesa për lehona – por jo si mbështetje për gratë, por si një mekanizëm për t’i mbajtur ato të ngujuara në role të kujdesit, për t’i shtyrë drejt lindjeve në emër të “sigurisë së kombit” dhe “rritjes së natalitetit”. E gjithë kjo është një strategji për të forcuar kontrollin mbi trupin e gruas, për ta bërë riprodhimin një detyrë dhe jo një zgjedhje. Jemi këtu sot për të shpallur rezistencën tonë. Ne refuzojmë politikat konservatore që, nën maskën e premtimeve financiare, janë në fakt një sulm frontal ndaj autonomisë sonë trupore. Nuk do të pranojmë asnjë fushatë që kërkon të rrisë lindshmërinë në këmbim të lirisë sonë. Nuk do të lejojmë që të drejtat tona riprodhuese të shkelmohen për agjenda popullsite e nacionaliste” – tha Erletë Shala nga RrGK-ja.