“Ura e re te Liqeni i Badovcit po bëhet”, tha para fiks 361 ditëve më parë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, teksa bëri të ditur se kanë hapur njoftimin për dorëzimin e ofertave për ekzekutimin e punimeve për ndërtimin e kësaj ure, raporton GazetaDemos.
E njëjta, edhe gati pas një viti, jo që nuk u bë, siç njoftoi ministri Aliu, por po cilësohet tashmë edhe si “Ura Vdekjeprurëse”.
Pikërisht në zonën ku shkruan ‘devijim i rrugës’, tre të rinj me veturën e tyre, të shtunën rreth orës 23:20, dyshohet se nga mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës, ranë në Liqenin e Badocit, për të humbur jetën tragjikisht.
Vdekjen e viktimave e konstatuan ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti dhe se policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave të rastit të këtij aksidenti.
Duke mos dashur t’i rëndojnë familjet e viktimave duke e politizuar këtë tragjedi, disa nga figurat e politikës së tanishme, e edhe asaj të shkuar, indirekt në reagimet e tyre ngushëlluese, kanë gjetur hapësirë të nisin kritika për ngecjen e punimeve në këtë rrugë, e cila edhe nga qytetarët që kalojnë andej po cilësohet e rrezikshme, e madje edhe me potencial vdekjeprurës.
Anipse ngjarja shokoi vendin këtë vikend, ministri Aliu nuk e tha as edhe një fjalë, as ngushëlluese për familjen e viktimave të Ardit Gashit, Ruzhdi Pacollit e Shpat Shehut, as nuk bëri thirrje për kujdes, e aq më pak të tregonte se çfarë po ndodh, e ku janë me punimet në këtë vend, pavarësisht se kishe lajmëruar më 11 tetor të vitit të kaluar se ura po bëhet.
Teksa, i pari i ekzekutivit, Albin Kurti duke shpërndarë reagimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kërkoi nga qytetarët e vendit që “t’i respektojnë rregullat e komunikacionit si dhe të dekurajojnë të gjithë ata që praktikojnë tejkalimin e shpejtësisë së lejuar apo afirmojnë vozitje tepër të shpejtë”.
Thirrje për kujdes gjatë vozitjes pati edhe ministri Sveçla, veçse ky i fundit shtoi se “ekspertët e fushës janë duke bërë hetime për shkakun e aksidentit”, duke mos e bërë fakt të prerë shpejtësinë.