Paneli hetimor i formuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në rastin disiplinor ndaj gjykatësit Agim Kuçi, ka gjetur se nuk ka pasur shkelje disiplinore me rastin e lirimit të Enver Sekiraqës nga masa e arrestit shtëpiak.
Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi”, rekomandimi i Panelit hetimor pritet të dërgohet tek anëtarët e KGJK-së për tu aprovuar apo jo.
“… nga përmbajtja e kërkesës, provave të bashkëngjitura së njëjtës dhe provave të administruara si më lartë nuk arriti t’i vërtetoi faktet e paraqitura në kërkesën e datës 20.05.2024 sa i përket shkeljeve të supozuara disiplinore në rastin PKR.nr.170/2020…”, thuhet ndër të tjera në rekomandimin e Panelit hetimor.
Ky Panel, ka sqaruar se gjykatësi Kuçi ka vepruar në konsultim me dy anëtarët tjerë të trupit gjykues, e që në këtë rast ishin gjykatësit Ngadhnjim Arrni dhe Medie Bytyqi, ku thuhet se bashkërisht si trup gjykues kanë vendosur për të gjitha çështjet përfshirë edhe për masën e arrestit shtëpiak.
Këtë rrethanë, sipas rekomandimit të Panelit hetimor e kanë sqaruar vetë anëtarët e trupit gjykues që janë dëgjuar si dëshmitarë në rastin disiplinor ndaj gjykatësit Kuçi.
Por, lidhur me këtë rast ishte deklaruar ndryshe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama. Ajo kishte thënë se gjykatësi Kuçi nuk ishte konsultuar me anëtarët e trupit gjykues kur kishte vendosur për të liruar nga masa e arrestit shtëpiak Sekiraqën.