Kryeministri në detyrë dhe njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, janë parë të angazhuar gjatë seancës së djeshme të kuvendit për t’i dhënë instruksione kryetarit të ri të kuvendit, Dimal Basha.
Në një video të publikuar Kurti dhe Murati shihen duke komunikuar drejtpërdrejt me Bashën, i cili sapo kishte marrë postin e kryetarit të kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes.
Përplasjet ndodhën gjatë votimit për zgjedhjen e nënkryetarit të kuvendit nga radhët e komunitetit serb. Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje dëshironte që në këtë pozitë të zgjidhej Nenad Rashiq, ndërsa Igor Simiq nga Lista Serbe insistoi tri herë radhazi që të propozohej Slavko Simiq.
Ky i fundit, megjithatë, nuk mori asnjë votë nga deputetët e partive shqiptare, duke e lënë kandidaturën e tij pa mbështetje të mjaftueshme.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se të enjten do të mbahet një seancë e re, ku pritet të vazhdojë procesi i plotësimit të përbërjes së kryesisë së kuvendit, me përfaqësues nga komunitetet jo shumicë.