Shtëpia e Bardhë ka publikuar imazhe nga brenda “Dhomës së Situatave” ndërsa Donald Trump mbajti një takim të Sigurisë Kombëtare.
Imazhet tregojnë presidentin, zëvendës-presidentin JD Vance, sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë amerikanë duke parë sulmet që u kryen në tre nga objektet bërthamore të Iranit.
Kujtojmë se SHBA ka thënë se ka goditur tri vendet kryesore në programin bërthamor të Iranit.
Ato përfshijnë Isfahanin, vendndodhjen e një baze të rëndësishme kërkimore, si dhe objektet e pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordow.
Dhe presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se objektet bërthamore të Iranit janë “plotësisht dhe tërësisht të shkatërruara”.
Ai i cilësoi sulmet amerikane si një “sukses ushtarak spektakolar”, pa dhënë shumë detaje rreth vetë sulmit.
“Irani, ngacmuesi i Lindjes së Mesme, tani duhet të zgjedhë paqen”, theksoi ai. “Nëse nuk e bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u realizuar”.
Ai shtoi: “Do të ketë ose paqe, ose një tragjedi për Iranin, shumë më të madhe sesa ajo që kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, ka ende shumë objektiva të tjerë”.