Organizata e Veteranëve të Luftës, dega në Deçan, sot ka bërë homazhe në Gllogjan në nderim të luftëtarit, Beg Rizaj.
“Sot, në përvjetorin e rënies, me homazhe dhe vendosje të kurorave me lule tek Shtatorja në qytetin e Deçanit dhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Gllogjan, aty ku pushon përjetësisht pranë shokëve bashkëluftëtarë, u përkujtua luftëtari i lirisë, Heroin i Kombit Beg Rizaj”.
Bashkëluftëtarët e familjarët homazhet i vazhduan edhe në fshatin Gramaqel, aty ku nderuan heroin Lan Dobraj.
“Në këtë ditë përkujtimore, u bashkuan shumë bashkëluftëtarë, veteranë, invalidë, familjarë dhe qytetarë për të nderuar trimërinë dhe sakrificën e tij. Nder e Lavdi përgjithmonë! Po sot, me homazhe nga bashkëluftëtarët në fshatin Gramaqel, u kujtua edhe Dëshmori i Kombit, rapsodi i mirënjohur Lan Dobraj! Lavdi e përjetshme për dëshmorët tanë! Le të jetojnë përgjithmonë në kujtesën e secilit nga ne! Lavdi!“, thuhet në njoftim.