Osmanit i kushtoi deklarata “bixhoz me aleancat”: Balaj analizon mos rikandidimin e saj
Opinionisti Labinot Balaj, ka folur për çështjen e prishjes së raporteve mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani.
Sipas tij, arsyeja pse Kurti nuk e rikandidoi Osmanin ka qenë deklarata e saj se po bëhet “bixhoz me aleancat”.
“Unë mendoj se i ka kushtuar një deklaratë, loja bixhoz. Atëherë ka luajt Vjosa me fatin politik, zonja Presidente, bixhoz. Deklarata në Kuvend, nëse nuk gaboj, në dhjetorin e vitit 2024”, tha Balaj në Rubikon të Klan Kosova.
Osmani nëntorin e vitit 2024, në Kuvend pati thënë: “Aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme sesa cilido prej nesh si politikan apo cilado palë zgjedhjesh. Janë gurthemel i sukseseve tona dhe investim i një të ardhmeje ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komunitetin euroatlantik të kombeve të lira. Aleancat janë këtu për ta na mbrojtur, prandaj vënje në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to, apo cenimi i tyre, e cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë”.
“Asnjëherë nuk e kam kuptuar, e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmeve ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. As njëra e as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, pati deklaruar Osmani nëntorin e vitit 2024 në fjalimin e saj vjetor në Kuvend.