
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, Faisal Ghazi Ismail Hifzi.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e tyre, përmes nxitjes së investimeve ekonomike në Kosovë, mbështetjes së mëtejshme ndërkombëtare për Kosovën nga ana e Arabisë Saudite, si dhe rritjen e bashkëpunimit mes qytetarëve të të dyja vendeve.
Ambasadori Hifzi i ka dorëzuar Osmanit ftesën e Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Princit Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud, për të marrë pjesë në forumin “Future Investment Initiative” që do të mbahet në Riad.
“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Arabisë Saudite, duke ritheksuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të kësaj miqësie…Presidentja falënderoi ambasadorin për ftesën dhe ritheksoi gatishmërinë për të vazhduar punën e përbashkët me Lartmadhërinë e Tij, me synim thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftim.