Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj të ngarkuarën me punë në ambasadën amerikane, Anu Prattipati, me të cilën thuhet të jenë diskutuar zhvillimet e fundit në vend.
Mes tjerash, Osmani kumtohet t’ia ketë përcjellur gatishmërinë e vendit për të vazhduar të thellojë raportet bilaterale me administratën e re amerikane, atë të Donald Trump.
Njoftimi:
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ruajtur stabilitetin dhe për të çuar përpara reformat demokratike.
Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e delegacionit presidencial të Kosovës në aktivitetet inauguruese të Presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump. Me këtë rast, Presidentja Osmani edhe njëherë konfirmoi angazhimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar thellimin e partneritetit me administratën e re amerikane, bazuar në vlerat e përbashkëta dhe interesat strategjike.