Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një ngjarje të mbajtur ditë më parë në Washington, teksa ka folur për rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, kishte përmendur edhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Sipas Osmanit, prej shumë kohësh dialogu i është lënë Bashkimit Evropian në dorë dhe se duhej një përfshirje më e madhe dhe direkte e Amerikës. Krejt këto deklarime Osmani i kishte bërë teksa provonte të lavdëronte presidentin amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar edhe si njeri që kryen punë.
Sipas Osmanit, nëse kërkohet sukses në procesin e negociatave atëherë duhet SHBA në tavolinë për t’i dhënë drejtim procesit.
“Në të kaluarën, shumica e këtij procesi i është lënë Bashkimit Evropian, por unë mendoj se na duhet një rol më i fuqishëm amerikan nëse duam sukses, nëse duam përparim – na duhet Amerika aty, na duhen ata në tryezë, na duhen të pranishëm, na duhen duke udhëhequr përpjekjen mbi bazën e vlerave që gjithmonë i ka mbrojtur në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.”, ka thënë Osmani në diskutimin e bërë më 10 korrik në Johns Hopkins University.
Për këtë qëndrim të presidentes kosovare, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga BE. Një zëdhënës i BE-së ka thënë se pritjet e Brukselit janë që bashkë Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE.
Gjithashtu, ky zëdhënës ka potencuar se BE kërkon edhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur mes dy shteteve pa vonesa dhe parakushte.
“Presim që si Kosova ashtu edhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura pa vonesa ose parakushte të mëtejshme”, ka thënë ky zëdhënës i BE-s për Gazetën Express pa u lëshuar shumë në komentet e bëra nga Osmani.
Prej disa muajsh, Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë s’ka pasur kurrfarë zhvillimi domethënës. Kosova që pas mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit është në bllokadë politike pa institucione të reja.
Kjo krizë politike në Kosovë po pamundëson shfrytëzimin e administratës së re në Bruksel që përbëhet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kalla dhe emisari për negociatat, Peter Sorensen.
Nga Ambasada e Gjermanisë përbërjen e re të BE-se e kanë cilësuar si “Ekipi i ëndrrave” që Kosova po e priste me shumë entuziazëm, derisa tashmë që ky ekip ëndrrash është në pushtet në Bruksel, Kosova gjendet në një paralizë institucionale.
“Kosova ka pritur gjatë për një Komisioner të ri për Zgjerim, një Përfaqësues të Lartë dhe një Përfaqësues të Posaçëm për Dialogun – të gjithë nga vende që e njohin Kosovën. Tani që ky ‘ekip ëndrrash’ nga ana e BE-së është në detyrë, Kosova vazhdon të jetë e paralizuar politikisht.”, kishin thënë nga Ambasada e Gjermanisë ditë më parë për RTV 21 kur kishin folur për efektet negative të moskrijimit të institucioneve të reja.
Përveç Dialogut, Kosova është i vetmi vend që ka dorëzuar agjendën e reformave e që ende s’ka marrë asnjë cent nga milionat e Planit të Rritjes të dedikuara nga Ballkanin Perëndimor për shkak të krizës institucionale. Ndërkohë që shtetet tjera si Serbia, Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut kanë marrë edhe pagesat e dyta nga kjo ndihmë e BE-së.