Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në kryeqytetin amerikan me ftesë të një grupi kongresistësh, ku do të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit dhe do të mbajë një fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.
Si përfaqësuesja ndërkombëtare kryesore në këtë event, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin në Drekën Ndërkombëtare, ku do të trajtojë rrugëtimin e Kosovës nga sfidat më të mëdha deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve të saj.
Sipas Presidencës gjatë vizitës në Washington, Osmani pritet të zhvillojë takime me kongresistë dhe zyrtarë të administratës amerikane, me synim forcimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit.
Njoftimi i plotë i Presidencës:
Presidentja Osmani në Washington, D.C., do të mbajë fjalim si e ftuar speciale në Lutjet Nacionale të Mëngjesit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të një grupi kongresistësh amerikanë, udhëtoi për në Washington, D.C., për të marrë pjesë në Lutjet Nacionale të Mëngjesit si dhe për të mbajtur fjalim në njërën nga ngjarjet kryesore të këtij organizimi të Kongresit amerikan.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, e cila mbledh mijëra kongresistë, politikanë, biznesmenë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë bota, Presidentja Osmani do të mbajë fjalimin kryesor nga përfaqësuesit ndërkombëtar në kuadër të Drekës Ndërkombëtare. Me këtë rast, ajo do të flasë për rrugëtimin e popullit të Kosovës nga ditët më të vështira deri te sukseset e sotme, duke theksuar besimin e pashoq dhe qëndrueshmërinë e qytetarëve tanë.
Gjatë qëndrimit në Washington, Presidentja Osmani do të zhvillojë gjithashtu takime me kongresistë amerikanë dhe zyrtarë të administratës së SHBA-së, me fokus në forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe avancimin e aspiratave euroatlantike të vendit tonë.
Lutjet Nacionale të Mëngjesit janë një traditë gjashtëdekadëshe, ku çdo vit mblidhen zyrtarët më të lartë amerikanë, anëtarë të Kongresit, politikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga shumë vende të botës për lutje të përbashkëta.