Osmani: Mickoski është albanofob dhe i urren shqiptarët
Kandidati i BDI-së për kryetar komune në Çair, Bujar Osmani, ka reaguar në lidhje me mesazhet e kryeministrit, duke thënë se nuk është habitur nga deklarata e Hristijan Mickoskit, sepse siç thotë ai, “misioni” i tij është për të larguar BDI-në nga skena politike.
Ai tutje tha se Mickoski është nga natyra albanofob dhe i urren shqiptarët.
“Mickoski nuk ka asnjë shqiptar në ekipin e tij dhe kur udhëton jashtë vendit, nuk merr me vete shqiptarë. Ai po e shfuqizon balancuesin sepse dëshiron t’i largojë (shqiptarët) nga institucionet. Ai po e shfuqizon gjuhën shqipe sepse e shqetëson dhe nuk dëshiron ta shohë në dokumente.”
“Nuk na shqetëson sepse urrejtja e tij ndaj shqiptarëve projektohet edhe midis qytetarëve. Nuk do ta lejoj që ajo urrejtje të hyjë në Çair sepse bashkëjetesa këtu është e shenjtë për ne. Nëse ai e shfuqizon balancuesin, premtova se do të krijoja një Fond për Përfaqësim të Drejtë për Komunitetet në Çair. Nëse ai e shfuqizon gjuhën shqipe, ne do të krijojmë departamente gjuhësore këtu. Kjo është arsyeja pse Çairi do të mbetet një oaz bashkëjetese në këtë stuhi”, theksoi Osmani, raporton Telegrafi.