Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në Kuvend ka bërë thirrje për ruajtje të aleancave me partnerët e Kosovës.
Osmani ka thënë se dobësimi i aleancave dhe partneriteteve është një gabim strategjik. Ajo ka thënë se vënia në rrezik e tyre apo luajtja bixhoz me to e cënon vetëm mbrojtjen e republikës.
Osmani tha se asnjëherë nuk e ka kuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për pushtet.
“As njëra, as tjetra nuk i bën nder Kosovës”, tha Osmani.
Pjesë nga fjalimi i presidentes në Kuvend:
Jam angazhuar që i përfaqësoj qytetarët me dinjitet. Përfaqësimi i vendit tim është nderi më i madh i jetës sime dhe mishërim i besimit të qytetarëve. Momenti kur do të themi se vërtetë ia kemi dalë është momenti kur qytetarët do të thonë: jemi krenarë për vendin tonë. Rruga deri te shteti nuk ka qenë fare e lehtë.
Sot më shumë se kurrë na duhet patriotizmi kushtetues që shkon përtej ndasive politike, që na bashkon jo sepse ndajmë mendimet e njëjta, por sepse ndajmë parimet që na përbashkojnë dhe për shkak që populli ynë gjithnjë ka ditur të bashkohet për atdheun.
Në këto kohë sfiduese për globin kur fragmentimi dhe përçarja po bëhen gjithnjë e më të dukshme, besnikëria jonë ndaj parimet të kushtetutës është ajo që duhet të na bashkojë. Sot siguria është parakusht qenësor për mirëqenie të shtuar, zhvillim ekonomik dhe dinjitet individual e kolektiv. Në këtë rrugëtim ajo që dëshmon më së miri pjekurinë dhe zhvillimin e shtetit tonë është momenti kur ne sigurohemi që politikat tona të pasyqrojnë atë që është e drejtë, e jo atë që është politikisht e përshtatshme, atë që është e duhur e jo atë që tingëllon bukur, atë që është në interes të Kosovës afatgjatë, e jo në interes të votave të një palë zgjedhjesh, atë që e ngrit shtetin tonë larg e jo që i ngrit vetëm numrat në sondazhe.
Vizioni largpamës është ajo që gjithnjë i ka dalluar liderët e vërtetë, jo vetëm në Kosovë por kudo në botë. Si ushtruese e politikës së jashtme kam punuar që emri i Kosovës të dëgjohet e lartësohet edhe aty ku nuk është dëgjuar më parë. Kam punuar në forcimin e aleancave të afërta e ato të largëta, jam angazhuar të dëshmoj se Kosova është shembulli më i mirë i asaj se çfarë ndodh kur demokracitë qëndrojnë të bashkuara. Shteti ynë edhe pse i ri ka bërë hapa të rëndësishëm në skenën globale. Marrëdhëniet tona me SHBA-në dhe partnerët tanë në Evropë e përtej riafrojmojnë rolin tonë për zhvillimin e paqes në rajon e më gjerë. Për herë të parë Kosova është ftuar në samite e organizata ku fare nuk është anëtare, siç ishte ai i NATO-s në SHBA. Asnjë popull nuk ia ka dalë vetëm, e asnjë shtet nuk ka sukses në izolim. Rëndësia e ruajtjes dhe forcimit të aleancave është e paçmueshme. Historia politike na dëshmon se dobësimi i aleancave dhe partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan ta kemi lirinë e shtetit asnjëherë nuk është nënshtrim as shantazhim. Forca jonë më e madhe qëndron në aleancat tona, partneriteti dhe aleancat mes shteteve janë më të mëdha sesa cilido prej nesh si politikan. Aleancat janë këtu për të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre apo luajtja bixhoz me to e cënon vetëm mbrojtjen e republikës. Asnjëherë nuk e kam kuptuar as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet nda tyre, e as keqpërdorimin e emrit të tyre për pushtet. As njëra, as tjetra nuk i bën nder Kosovës.